Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare ‘Germin’, organizojnë për herë të parë forumin për bashkë-investime dhe rrjetëzim që do të mbahet nga data 5 deri me 7 korrik 2019. Ky forum fillon çdo ditë prej orës 18:00 në kompleksin e ‘Lidhjes së Prizrenit’ dhe dy ditët tjera mbahet në ‘Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve’. Menaxherja e organizatës Fjolla Vukshinaj, për Radio KFOR-in tregoi për qëllimin e këtij forumi:
“Është koha të orientojmë kapitalin dhe dashurinë e diasporës në investime të cilat gjenerojnë punësim dhe të ardhura, e jo vetëm konsum. Ky forum ka këtë qëllim, pra të ofrojë para investitorëve potencial mundësitë zhvillimore të Prizrenit. Tërheqja e kompanive të huaja dhe nga Diaspora për të investuar në Prizren është një nga synimet kryesore për t’u arritur përmes këtij bashkëpunimi, duke u bërë bashkë-krijues i të së ardhmes së Prizrenit”, tha Fjolla.
Ky forum përkrahet nga Komuna e Prizrenit dhe implementohet nga Organizata Germin, në partneritet me Shoqata Zejtare Afariste Prizren, ESNAF Prizren , KDWV Kosovarisch-Deutsche Wirtschaftsvereinigung, Besa Foundation e.V.; City HOTEL, Komot Chocolate dhe Unioni i Bizneseve Shqiptare-Gjermane në Gjermani.