“Bëhu arsyeja që dikush buzëqeshë. Bëhu arsyeja që dikush ndihet i dashur dhe beson në mirësinë e njerëzve”, kjo thënie nga shkrimtari, Roy T. Bennett, përkufizon rëndësinë që ka humanizmi.
Në Kosovë, viti 2020 po mbyllet me ngjarje të ndryshme humanitare, e njëra ndër to është edhe fushata e organizuar nga organizata joqeveritare ‘Nëna dhe fëmijë të lumtur’, për të cilën drejtoresha Edita Dula, për Radio KFOR-in tha: “Është viti i 5-të që e organizojmë fushatën “Përgatite dhuratën vet, jep dashni për dikë që se pret”, e cila është fushatë që përveç që na bënë me u ndi shumë mirë edhe të përmbushur, pasi grumbullojmë dhurata për fëmijët e familjeve në nevojë, familjeve që janë të regjistruara në organizatë dhe është një numër shumë i madh, rreth 700 familje që ne ju ofrojmë ndihmë. Ne, në çdo fundvit, përgatisim nga një dhuratë për fëmijët e këtyre familjeve.”
Znj. Dula tregoi gjithashtu se fushata do të jetë e hapur deri në fundvit, andaj ftoi të gjithë që të angazhohen në misionin për të dhuruar gëzim tek fëmijët në nevojë.
Ashtu sikurse viteve të shkuara, edhe ‘babadimri ka vrapuar’ për të grumbulluar fonde për familjet në nevojë, e këtë mision nuk e ka ndaluar as pandemia e COVID-19. Kështu tha për Radio KFOR-in, themeluesi i organizatës jo-qeveritare ‘Projekti 5 Cent’, Jusuf Islami, që është organizator i mini-maratonës ‘Vrapo Babadimër’: “Këtë vit kemi shënuar edicionin e V-të me radhë dhe ky edicion u realizua në një formë krejtësisht tjetër, për shkak të pandemisë. Megjithatë “Vrapo Babadimër”, arriti të jap buzëqeshje në 350 familje në gjithë Kosovën, në 7 qytete dhe ky është synimi jonë që çdo vit t’i ndihmojmë familjet që kanë nevojë. Kemi pasur përkrahje të madhe nga bizneset e qytetarët dhe marrë parasysh gjendjen, jemi shumë të kënaqur. Gjithashtu jemi të lumtur që “Vrapo Babadimër”, po pasqyrohet edhe në mediat ndërkombëtare si në Euronews si dhe The guardian që, përveç kauzës humanitare, po promovohet edhe Kosova.”