“Ta ruajmë dhe kultivojmë Trashëgiminë Kulturore tek gjeneratat e reja”, ishte ky aktiviteti i radhës që u realizua këtë javë, nga OJQ “Culturat”, për nder të 21 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Me përkrahjen edhe të Policisë së Kosovës, ky aktivitet u realizua në ambientet e shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, ku për shkak të pandemisë “CoViD -19” numri i nxënësve pjesëmarrës ka qenë i kufizuar.
Se cila ishte ideja e realizimit të këtij aktiviteti, për Radio KFOR-in, drejtoresha e OJQ-së “Culturat”, Mihane Hoxha, veçoi: “Ne si Kosovë jemi me fat që e kemi një trashëgimi kulturore shumë të pasur, prandaj është mirë t’i njoftojmë të rinjtë për këtë pasuri që e kemi. Ata duhet të njoftohen se si ta ruajnë këtë pasuri, ta mbrojnë dhe se si ta respektojnë secilin objekt apo artefakt kulturor, e kurrsesi të mos e dëmtojnë apo ta trajtojnë si diçka të parëndësishëm. Me këtë rast e kam ftuar edhe Policinë e Kosovës që fëmijët të mësohen se si duhet të kenë një bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe e kam ftuar edhe etnologen, Arbnora Thaqi, e cila i njoftoi më gjerësisht për trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e saj.”
Duke i mësuar gjeneratat e reja se si ta ruajnë trashëgiminë kulturore, kontribuohet drejtpërdrejt në shoqëri, arsim, kulturë dhe në zhvillim të civilizimit.