Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në 216 vende të botës janë mbi 5 milionë e 600 mijë raste pozitive me ‘Covid – 19’, me mbi 353 mijë raste me persona të vdekur. Në bazë të të dhënave zyrtare, në Evropë janë mbi 1 800 000 raste të konfirmuara me ‘Covid – 19’. Pesë vendet më të prekura në Evropë nga pandemia janë: Rusia, Britania e Madhe, Spanja, Italia dhe Gjermania. Në Kosovë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, deri më 28 maj 2020, janë konfirmuar 1,052 mijë raste pozitive me ‘Covid – 19’, prej të cilave, 820 të shëruar dhe 30 të vdekur, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tanimë kanë rekomanduar hapjen e pothuajse të gjitha bizneseve, në mënyrë që të fillojë ringjallja ekonomike në shumicën e vendeve. Megjithatë, lirimi i këtyre masave kufizuese, sipas tyre, nënkupton se duhet të shtohen masat e kujdesit me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë. Në konferencën e fundit për media të datës 27 maj, nga OBSH-ja është përmendur një letër, e cila përfshin kërkesën e më shumë se 40 milionë profesionistëve shëndetësor, të cilët kanë kërkuar nga liderët e vendeve të tyre një rimëkëmbje të shëndetshme dhe të gjelbëruar nga ‘Covid – 19’. Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që të marrim mësimet që na ka dhënë pandemia, se si uji dhe ajri mund të jenë më të pastër, rrugët më të qeta dhe më të sigurta si dhe të gjithë kemi gjetur mënyra se si të punojmë, por njëkohësisht të kalojmë më shumë kohë me familjet tona. OBSH-ja, po ashtu ka paraqitur gjashtë hapat që do të ndiqen gjatë rimëkëmbjes nga ‘Covid – 19’:
01. Së pari, do të mbrohet natyra, e cila është burim për ajrin, ujin dhe ushqimin, nga të cilat varemi.
02. Së dyti, të sigurohet ujë, kanalizim dhe energji e ripërtëritshme për çdo shtëpi.
03. Së treti, të investohet në energji që do të pastrojë ndotjen e ajrit.
04. Së katërti, të promovohet sistem i shëndetshëm i ushqimit, që u jep qasje të gjithë njerëzve barabartë.
05. Së pesti, ndërtimi i qyteteve me plan urban për zhvillim të qëndrueshëm
06. Së gjashti, të ndalohet subvencioni i karburanteve që po shkaktojnë ndotje enorme dhe po ndikojnë në ndryshimet klimatike.
Krejt në fund, nga OBSH kërkojnë që të vazhdohet me zbatimin e rekomandimeve për mbrojtje nga pandemia, në mënyrë që ajo të përfundojë sa më shpejt dhe së bashku të kontribuojmë për një botë më të mirë për të gjithë, pa dallime.