Në kuadër të projektit “School Community by Empowering Students”, mbështetur nga Giz Kosovo, projekt ky i cili ka për qëllim të fuqizojë Këshillin e Nxënësve në shkollat e mesme të ulëta, ka filluar të implementojë iniciativat e nxënësve, të cilat u ideuan në punëtoritë e mbajtura me ‘Shkollat Kampione’. Ditë më parë, nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku”, në Shtime, zhvilluan kampanjën “Kultura, Higjiena dhe Shëndeti në shkollë”, qëllimi i së cilës është ngritja e vetëdijes tek nxënësit mbi rëndësinë e pastërtisë, posaçërisht në ambientet shkollore.
Se sa ka përfituar shkolla nga ky aktivitet, për Radio KFOR-in tregoi drejtori i Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku”, në Shtime, zotëri Labinot Rexhaj: ‘Shkolla jonë ka përfituar shumë, ku një grup me 15-të nxënës kanë qenë të angazhuar në këtë projekt. Kjo kampanjë ka zgjatur diku rreth katër muaj derisa është finalizuar, pastaj nxënësit kanë pasur për obligim që secili para grupeve të nxënësve të prezantojnë atë çfarë kanë mësuar dhe e kanë realizuar gjatë kësaj kohe. Unë mendoj se aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme, sepse të rinjve duhet t’u paraqitet kultura se si duhet të kujdesen për ambientin në shkollë, në ambientet publike si dhe në shtëpitë e tyre.’
Duke u kujdesur dhe mbrojtur ambientin ku jetojmë e veprojmë, ne kujdesemi për shëndetin dhe mirëqenien tonë!