Linguistika apo gjuhësia është shkenca e cila merret me studimin e një gjuhe dhe origjinën e saj. Në botë ka afërsisht mbi 7.100 gjuhë. Gjuha më e vjetër në botë është gjuha sanskrite dhe të gjitha gjuhët evropiane janë krijuar nga kjo gjuhë. Në këtë shekull gjuhët më të folura në botë janë: gjuha angleze, mandarin, spanjolle, frëngjisht dhe gjuhë të tjera.
Për këtë temë Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e Institutit Albanologjik të Kosovës, profesorin Hysen Matoshi, i cili tregoi mbi rëndësinë e studimit të gjuhës: “Rëndësia e studimit të gjuhës është e madhe, sepse duke njohur gjuhën e një populli, ne njohim edhe historinë dhe kulturën e gjithmbarshme të atij vendi. Gjuha është çelësi i të gjitha studimeve të tjera, prandaj duke mos e njohur gjuhën, ne rrezikojmë të mos njohim të kaluarën e një populli. Duke njohur më shumë gjuhë, vlera profesionale, njerëzore dhe humane të njeriut, vijnë duke u shtuar dhe është një përparësi për secilin individ në fushën e caktuar.”
Zonja Arlinda Pllana, një e re nga Kosova e rritur në Suedi, flet rrjedhshëm tre gjuhë: shqipe, angleze dhe suedeze. Për Radio KFOR-in, ajo theksoi se ky fakt i ka ndihmuar në aspektin profesional por edhe personal: “Unë flas rrjedhshëm gjuhën shqipe, suedeze e angleze dhe kjo më ka ndihmuar shumë sepse kam pasur mundësi të krijoj shoqëri të re, të arrij ambiciet profesionale dhe shkëmbim të eksperiencave në komunikim me njerëz por edhe mundësi të zhvillohesh më shumë si njeri.”
Njohja e gjuhëve përbën përparësi të mëdha për secilin, duke hapur dyer dhe mundësi të shumta.