Njësia K9 e Policisë së Kosovës që me kalimin e viteve ka zhvilluar kapacitetet e saja, sot është e gatshme të ofroj mbështetjen dhe ndihmën e saj sa herë që është nevoja. Këtë e kemi kuptuar nga Togeri Besim Havolli, që njëherit është Mbikëqyrës i Njësisë me Qentë Patrullues, në Njësinë K9, të Policisë së Kosovës, i cili për Radio KFOR-in, tregoi më shumë për historikun dhe punën e tyre: “Njësia K9 është themeluar në vitin 2002, fillimisht me 5 operatorë, ndërsa në vitet në vazhdim është rritur numri në 40 operatorë. Njësia K9 është e strukturuar në kuadër të drejtorisë së Njësive Speciale dhe përbëhet nga dy ekipe, nga Njësia Qendrore e cila gjendet në Stacionin Policor në Lebanë dhe Njësitë Kufitare që janë të stacionuara nëpër pikat kufitare si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Puna dhe përgjegjësitë e Njësitit K9 janë të shumta, si sigurimi i manifestimeve kulturore, sportive etj., asistimi dhe intervenimi me qentë policorë në raste të arrestimeve të personave me rrezikshmëri të lartë, angazhimi në detyrat kërkim-shpëtim, kërkimi i mjeteve shpërthyese- eksplozivëve, kërkimi i lëndëve narkotike, kërkimi i mjeteve të dyshimta, kërkimi i personave të humbur dhe të dyshimtë, ndjekja e personave të dyshimtë, kontrollimi i turmave, sigurimi i objekteve dhe perimetrit të jashtëm të sigurisë, veçanërisht kur kërkohet, kontrollimi i veturave e kamionëve në hyrje-dalje të pikave kufitare, kontrollimi i valixheve në aeroport, kontrollimi dhe sigurimi i vijës se gjelbër në kufirin e Kosovës etj.”
Togeri z.Havolli gjithashtu ka treguar edhe për disa aktivitete të zhvilluara së fundmi nga Njësia K9: “Kemi bashkëpunuar me disa medie lokale, ku kemi treguar për punën dhe angazhimin e Njësisë K9. Po ashtu, përgjatë fundvit kemi qenë të angazhuar në planin operativ të quajtur ‘Fundviti 2021 – 2022’ ku kemi caktuar ekipet me zyrtarë përgjegjës në thirrje për çdo eventualitet që t’i përgjigjemi detyrës dhe kërkesave në terren. Ne do të vazhdojmë që me përkushtimin më të madh, dhe në mënyrë sa më profesionale t’i kryejmë të gjitha detyrat edhe përgjegjësitë me të cilat jemi të ngarkuar, si të angazhohemi dhe të asistojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë.”
Për fund, Z Havolli tha se edhe përgjatë 2022-ës do të kenë aktivitete të ndryshme dhe Njësia K9 do të vazhdojë me trajnime të brendshme, në kuadër të njësisë dhe të gjitha njësive të tjera si dhe do të asistojë kurdo që atyre u kërkohet.