Muaji mars i vitit të kaluar, shënoi rastin e parë pozitiv me virusin Covid-19, në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë, institucionet shëndetësore e organizata të tjera shëndetësore, janë mobilizuar për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të qenë afër qytetarëve me ndihmë mjekësore, vetëdijesim mbi virusin dhe përkrahje morale.
Për të mësuar më shumë rreth efekteve që kishte pandemia për shoqërinë në Kosovë në aspektin sociologjik, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me sociologun, Ferdi Kamberi: “Studimet të cilat ne si sociolog kemi realizuar gjatë kësaj periudhe në Kosovë, kanë rezultuar se pjesa më e madhe e shoqërisë kosovare, nuk e kanë marrë seriozisht pandeminë dhe pandemia ka shkaktuar pasiguri sociale, duke shpërfaqur një mori pasojash që vetëm kanë filluar të shfaqen dhe do të vazhdojnë të shfaqen edhe në të ardhmen. Pandemia ka sjellë edhe probleme financiare dhe probleme të shëndetit mendor, pastaj gjatë kësaj kohe ka munguar aspekti social dhe fizik, që është nevojë dhe natyrë e njeriut.”
Sociologu Kamberi, sugjeroi që njerëzit të vazhdojnë komunikimin e tyre përmes platformave të ndryshme teknologjike, duke mbajtur kontakt me të afërmit dhe miqtë e tyre, pasi që komunikimi ndihmon në reduktimin e stresit, depresionit dhe problemeve sociale.