Zhvillimet në teknologji, nga rritja 170% e Bitcoin, aplikacionet e reja për komunikim më të mirë brenda kompanive, kamerat me rreze infra të kuqe që po përdoren për të studiuar përhapjen e virust Covid-19 dhe problemet me sistem që pati Google, janë lajmet më të reja që na i solli këtë javë shkenca dhe teknologjia.
Bitcoini për herë të parë e kalon barrierën e 20 mijë dollarëshit – Monedha digjitale, Bitcoin, e ka kaluar barrierën e 20 mijë dollarëshit për herë të parë të mërkurën që e lamë pas, pas rritjes së interesimit institucional dhe të korporatave. Vlera e një Bitcoin-i ka shkuar tek 20.800 dollarë, duke e kaluar shifrën e 20.675 dollarëve që kishte qenë më herët. E llogaritur në përqindje, Bitcoin ka shënuar 170% rritje këtë vit. Monedhat më të vogla si Etherumi e Ripple (XRP), që shpesh lëvizin në me Bitcoinin, janë rritur për 5.4 për qind, përkatësisht 8.1 për qind.
Lansohet “Teco App”, produkti më i ri në fushën e teknologjisë – Teco Technologies, kompani për shërbime digjitale nga Kosova, ka lansuar produktin më të ri “Teco App”, aplikacion ky që ofron mundësi të komunikimit dhe bashkëpunimit mes pjesëtarëve të kompanisë. Në ngjarjen e lansimit të aplikacionit u tha se kompania synon që të punësojnë shumë të rinj si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, teksa qëllimi kryesor i kësaj kompanie është depërtimi në tregjet ndërkombëtare.
Kamerat me rreze infra të kuqe tregojnë rrezikun e bartjes së koronavirusit përmes ajrit – Washington Post ka përdorur një kamerë me rreze infra të kuqe nga kompania FLIR Systems, për të parë se si përhapet virusi përmes ajrit. Koronavirusi më së shpeshti përhapet nëpërmjet një kontakti të afërt, thonë shkencëtarët, ndërsa imazhet tregojnë shumë, duke parë dy njerëz nëpërmjet kamerave gjatë komunikimit dhe duke parë se çfarë ndodhë me ajrin që nxjerrin nga goja. Kamera me rreze infra të kuqe kap shumë gjëra që nuk janë të pashme për syrin e njeriut.
Google, Gmail e Youtube bien nga sistemi – Shërbimet e Google kanë rënë nga sistemi për disa minuta me datë 14 dhjetor, duke prekur shumë përdorues në mbarë botën. Në mesin e shërbimeve që kanë rënë janë Gmail, Google search, YouTube dhe Google Maps. Përdoruesit kanë marrur mesazhin “Temporary Error” gjë që i ka shqetësuar shumë. Edhe pse problemi u rregullua për disa minuta, natyrisht se nuk mbeti pa shkaktuar humbje dhe dëme tek shumë përdorues.