‘21 Marsi’ ndryshe njihet edhe si “Dita Botërore e Poezisë”, e cila u krijua nga UNESCO, në vitin 1999 dhe synon të vlerësojë ndjenjën që poezia mund të krijojë, duke formuar marrëdhënie kuptimplota dhe të zgjerojë mendjen, për historinë dhe kulturat.
Shënimi i kësaj dite është i rëndësishëm për të gjithë e veçanërisht për poetët, thotë për Radio KFOR-in, poetja e mirënjohur, Ilire Zajmi: “Përmes shënimit të “Ditës Botërore të Poezisë”, tregohet se sa e rëndësishme është poezia, e cila është gjuha, poezia është kombi, është shpirti dhe është mirë që kjo ditë të shënohet me aktivitete, ku do të gjallërohej pikërisht fryma e poezisë. Edhe në Kosovë, shpresoj se do të organizohen aktivitete, të cilat do të na bëjnë me dije se sa e rëndësishme dhe sa e shenjtë është poezia.”
Shënimi i “Ditës Botërore të Poezisë”, përveç që frymëzon dhe edukon, ajo u jep poetëve anembanë botës njohje për shkëlqimin e tyre krijues, ringjallë praktikën e recitaleve të poezisë dhe promovon poezinë si një formë arti që lidh njerëzit mes vete.