Teatri i Vjenës, nga dita e djeshme e deri më 8 dhjetor të këtij viti, do të pasurohet me artistë e grupe të ndryshme të kulturës shqiptare, përmes një programi të larmishëm artistik.
Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri ka shpalosur programin e mbushur me risi e premiera nga emrat më të njohur të artit shqiptar.
Siç njofton këshilli respektiv, në teatrin e Vjenës do të performohet polifonia shqiptare si kulturë jo materiale me vlera universale, e mbrojtur nga UNESCO, përmes Ansamblit Polifonik Saz’iso, pastaj muzika origjinale „Gheg Rock“ shqiptare, përmes grupit Jericho, shfaqja teatrale e artistes së merituar Rita Gjeka,do të bashkohen në performancë virtuozët, si violinisti Shkelzen Doli, sopranoja Flaka Goranci, dirigjenti Michael Maciaszczyk dhe Orkestra Austriake e Dhomës, për të sjellë tingujt e muzikës shqiptare dhe muzikantët Rina Kaçinari, Adnan Dragaj (Humus), Orges Toce, Agim Llapashtica, Alfred Bushi, Gramos Goranci e Kori i Grave ‘Lyra’ që veprojnë në Austri, bashkohen në një mbrëmje unike që shënon hapjen e Javëve të Kulturës.
“Kemi shfaqur krijimtarinë artistike të Jakup Ferrit; kemi sjell festivalin e njohur botërisht DokuFest-in përmes produksioneve të suksesshme kinematografike nga regjisorë, producentë e aktorë shqiptarë në një nga kinematë më të famshme në Vjenë; muzikantë shqiptar të zhanrit klasik kanë gërshëtuar klasiken austriake me atë shqiptare; pastaj muzikën bashkëkohore përmes grupit Offchestra, e shumë të tjera, ku të gjitha kanë marrë vëmendjen maksimale dhe janë përfolur gjatë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e këtij Këshilli.