Për shkak të përdorimit të madh të drogave, sidomos nga të rinjtë tanë, muaji nëntor do t’i dedikohet parandalimit të kësaj dukurie në Kosovë, përmes aktiviteteve të ndryshme.
Sot (1 nëntor), në Ferizaj, mbahet konferenca me të gjitha insitucionet relevante për parandalimin e këtij fenomeni negativ shoqëror, më 4 nëntor do të realizohet një marsh masiv, për të cilin më shumë na tregon drejtoresha e Qendrës Këshilluese “Këshillimi”, në Ferizaj, znj. Arjeta Musliu.
“Qëllimi i këtij marshi është vetëdijesimi i qytetarëve karshi problemit me të cilin ballafaqohemi çdo ditë, duke parë rrezikun që kemi para vetes dhe fëmijëve tanë, sepse gjendja alarmante e përdoruesve aktiv çdo ditë po rritet”, nënvizoi për Radio KFOR-in, znj. Musliu, e cila poashtu bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në këtë marsh dhe poashtu kërkoi që t’i kushtohet vëmendje e posaçme këtij fenomeni që mund ta atakoj çdo familje.
“Është momenti i fundit që të bëhemi të gjithë bashkë, ne si individë, shoqëria civile, prindërit, të rinjtë, fëmijët, insitucionet përgjegjëse dhe t’i themi stop kësaj dukurie shqetësuese, nëse nuk jemi vonuar tashmë”.
Më 5 nëntor do të mbahet Ligjëratë nga ekspertë të fushës përkatëse nëpër të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Ferizajt, e cila do të zgjatë deri në fund të muajit, më 25 nëntor, ku do të jepet Premiera e shfaqjes në tetarin e qytetit “ Adriana” , nga nxënësit e shkollave të mesme dhe më 30 nëntor do të mbahet një Konferencë para mediave për mbarëvajtjen e aktiviteteve respektive.