Dhjetori është muaji gjatë të cilit realizohen iniciativa të ndryshme humanitare dhe vullnetare, për t’ju dalë në ndihmë atyre që më së shumti kanë nevojë, në mënyrë që tu sjellin buzëqeshje në prag të festave të fundvitit. Edhe në Kosovë, gjatë tërë këtij muaji realizohen iniciativa të tilla çdo vit, e posaçërisht tani në kohë pandemie, kur edhe është rritur numri i atyre që kanë nevojë për ndihmë.
Edhe këtë vit, organizata joqeveritare “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur” do të organizojë fushatën “Përgatite dhuratën vetë, jep dashni për dikë që s’e pret”, për të pestën herë me radhë. Radio KFOR-i ka intervistuar drejtoreshën e kësaj organizate, Znj. Edita Dula, e cila u ka bërë thirrje të gjithëve që të bëhen pjesë e kësaj fushate, duke ndihmuar njerëzit në nevojë: “Në kuadër të kësaj fushate, grumbullojmë dhurata për fëmijët e familjeve në nevojë, për të gjitha ato familje që janë të regjistruara në organizatën tonë tashmë. Numri është shumë i madh, janë diku 700 familje të regjistruara, ku një numër i madh prej tyre janë nëna të vetme, të cilat i veçojmë dhe me të cilat fillojmë të shpërndajmë dhuratat. Numri i fëmijëve po ashtu është shumë i madh edhe presim me dhuru sa më shumë dhurata, sepse e kemi shumë vështirë me i nda fëmijët. Po kërkojmë shumë njerëz të vullnetit të mirë, që të përgatisin një dhuratë, sepse nuk është aq e vështirë, munden me përgatit madje edhe në shtëpi. Dhuratën duhet ta përgatisin në kuti të këpucëve, në mënyrë që me qenë e njëjtë për të gjithë fëmijët, ku munden me vendos gjëra ushqimore, ndonjë lodër, laps apo fletore.”
Znj. Dula, tutje ka bërë të ditur se fushata do të zgjasë deri më 25 dhjetor, në mënyrë që pastaj të kenë kohë të mjaftueshme për t’i shpërndarë këto dhurata: “Fëmijët i presin dhuratat me shumë dashni. Ata janë fëmijë të familjeve në nevojë. Kjo është ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, pa e parë gëzimin në fytyrë të fëmijëve kur i marrin këto dhurata. I ftoj njerëzit e vullnetit të mirë që përveç ndihmës në këtë fushatë, të ndihmojnë vazhdimisht, sepse është lehtë me heq diçka nga vetja, për me gëzu dikë.”