Për shkak të pandemisë së korona virusit gjatë këtij viti që po e lëmë pas, shumë ngjarje të mëdha sportive u shtynë për kohë të pacaktuar apo u anuluan fare. Kështu, Lojërat Olimpike në Tokio, të cilat ishin planifikuar më datën 24 korrik e deri më 9 gusht, u shtynë për vitin e ardhshëm, mirëpo edhe në këtë vit që po hyjmë asgjë nuk është e sigurt se Lojërat Olimpike do të mbahen. Radio KFOR-i ka veçuar disa nga ngjarjet tjera më të rëndësishme sportive që shënuan vitin 2020, e ato janë:
– Lojtarët e Liverpoolit u bënë kampionë të Evropës për herë të gjashtë. Ata mundën Tottenhamin në finalen e Ligës së Kampionëve.
– Në vitin 2020, nuk u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit ‘topi i artë’, mirëpo u dha vetëm ‘Çmimi për Futbollistin Më të Mirë’. FIFA njoftoi se sulmuesi polak, Robert Lewandowski, është futbollisti më i mirë në botë për vitin 2020.
– Portieri më i mirë në botë për vitin 2020, është shpallur Manuel Neuer.
– Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura në finalen e madhe të NBA, Los Angeles Lakers arritën titullin e kampionit me rezultatin 4: 2 në seri.
– Lewis Hamilton është kampion bote për herë të shtatë. Kështu, britaniku barazoi numrin e titujve me legjendën Michael Schumacher.
– Kombëtarja e hendbollit të Spanjës mbrojti titullin e kampionit evropian pasi mundi përzgjedhjen e Kroacisë në finalen e Stokholmit.
– Hendbollistët norvegjezë janë kampionët e rinj të Evropës, pasi ata mposhtën përzgjedhjen franceze në finale në Herning, Danimarkë.
– Tyson Fury është kthyer atje ku e ka vendin! Në fronin e boksit të rëndë! Katër vjet e gjysmë pasi mori kurorën dhe shkopin nga Wladimir Klitschko, Tyson Fury përsëri mban titullin e kampionit të botës në kategorinë e peshave të rënda.