Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me shpërndarjen në rrjete sociale të disa ‘recetave’, kinse për trajtimin e personave të prekur me ‘Covid – 19’.
Me anë të një njoftimi për media, kjo Ministri u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e publikimeve të tilla, ku thuhet: “Jemi dëshmitarë që së fundi nëpër rrjetet sociale (jo vetëm në nivel lokal) po shpërndahen me të madhe të ashtuquajtura “receta” të ndryshme për trajtimin e personave të prekur nga COVID-19. Duke qenë që “recetat” e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19, të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësor dhe nga institucionet kredibile dhe të konfirmuara”.
Po ashtu, institucionet shëndetësore në Kosovë, bazuar edhe në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vazhdimësi po bëjnë thirrje për mbajtje të maskës, mbajtje të distancës dhe higjienës personale, si metodat më efektive për parandalimin e përhapjes së pandemisë ‘Covid – 19’.