Dy vite në koma nga muzika rep

13.06.2012 13:44 postuar nga: Ella

Muzika rep, megjithëse zhanër relativisht i ri ka shumë fansa mes shqiptarëve. Moda e këngëtareve gangsterë përfshinë shumë emra, që idealizohen nga të rinjtë. Katër janë grupimet më të njohura në Shqipëri e Kosovë, të cilët i kanë shpallur njëri-tjetrit aleanca dhe armiqësi, jo vetëm nëpërmjet dhunës verbale me tekstet e këngëve, por edhe konfrontim fizik madje të armatosur. OTR, (On top of the rest) që njeh si lider Noizin, Stresi me përkrahësit e tij, TBA (The bloudy alboz) që përfaqësohen nga Unikkatili dhe Babastars ku bëjnë pjesë këngëtarët nga Kosova: Getoari, Ledri etj.
 

Plagosja dy vjet më parë e dy anëtarëve të grupit OTR dhe të grupit të Stresit e më pas konflikti me armë tek Pallati i Kongreseve në Tiranë janë vetëm dy nga ngjarjet më të bujshme të pasqyruara në kronikën e zezë. Kohët e fundit po aq i bujshëm ka qenë konflikti me grushta mes Noizyt dhe Babastars në aeroportin e Zyrihut. Reagime të tilla transferohen dhe rriten tek fansat e grupeve, adoleshentë të moshës 13-18 vjeç, të cilët ingranohen në situata të tilla për shkak të emrit të grupit.

Denis Dollapaj është një i ri, viktimë e këtyre sherreve, i cili dy ditëlindjet e fundit i ka kaluar i shtrirë në shtrat., në gjendje kome.15 thikat e ngulura në trup më 28 prill të 2010-ës, gjatë një sherri mes grupesh reperësh, e kanë lënë atë të gjallë, por pa jetë. 
“Prej 25 muajsh, Denisi është kështu. Falenderoj Zotin që është gjallë, por në moshën 18-vjeçare të mos gëzosh jetën është mjaft e vështirë për ne familjarët”, është shprehur nëna e tij.
“Do ju bëja thirrje gjithë bashkëmoshatarëve të tij të kenë kujdes. Jeta është e bukur. Denit i kanë ardhur shumë shokë, por tani u bë kohë e gjatë dhe secili shikon punën e vet. Shoqëria është e përkohshme, familja është e përjetshme. Jeta është shumë e çmuar”, transmetohet mesazhi i Xhevahire Dollapajt.
Dy vite më parë, Denisi ishte 18 vjeçari simpatik, plot me dashuri për jetën, për familjen, për shokët, për muzikën. Tani ai është në koma të zgjuar, viktimë e një sherri mes grupesh për preferenca muzikore.