Paul McCartney performon në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike

11.06.2012 13:34 postuar nga: Ella

Muzikanti britanik, Paul McCartney, ka konfirmuar ditë më parë që ai do të performojë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Londër, më 27 korrik. Ish-anëtari i “Beatles”, ka thënë për BBC Radio 5 se është caktuar performanca e tij, e cila do të jetë e fundit sipas renditjes në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Lista e plotë e interpretuesve në ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së Lojërave Olimpike, duhet të publikohet tek tani.

McCartney ka mbyllur festimin e jubileut të diamantë të Mbretëreshës, së bashku me shumë emra të tjerë si Elton John, Annie Lennox, Stevie Wonder dhe të tjerë. Përndryshe, Beatles u shpall kohët e fundit si grupi më i suksesshëm gjatë mbretërimit të Elizabethës II, bazuar në pozitat që kanë zënë në toplistat britanike. Ndërsa së fundi një fotografi e papublikuar asnjëherë më parë e grupit legjendar Beatles do të shitet në ankand për rreth 14 mijë euro, në Londër. Fotoja është një nga gjashtë të tilla, të cilat u realizuan për kopertinën e albumit “Abbey Road”. Fotoja është bërë në vitin 1969 dhe shfaq pjesëtarët e grupit duke ecur në një rrugë në Londër në drejtim të kundërt, jo si fotot e tjera të kopertinës së diskut. Gjithashtu Paul McCartney ka sandale të veshura, ndërkohë që tek fotoja e albumit është zbathur.