Ka filluar “Java e Bibliotekës në Kosovë”

11.04.18

“Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar” është tema kryesore që po trajtohet përgjat edicionit të 16-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, e cila ka filluar më 10 prill dhe do të zgjasë deri më 14 prill 2018.

“ ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’ shënon vazhdimin e një përkrahjeje nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Rektorati i Universitetit të Prishtinës si dhe shënon vazhdimin e bashkëpunimit të fuqishëm mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, bashkëpunimin me projektin LNSS të Erasmus+, ku këtë vit jemi pasuruar me aktivitetin “Dita Kombëtare e Vetëdijesimit për Biblioteka” ‘,kështu tha për Radio KFOR-in,  Rudina Tahiraj zyrtare ekzekutive në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Znj. Rudina u bëri thirrje të gjithë dëgjuesve që t’i ndjekin aktivitetet e organizuara dhe shtoi:
“T’i ndjekin këto seksione, sepse me ndjekjen e këtyre seksioneve të gjithë do të njoftohen më shumë mbi atë se çfarë bënë Biblioteka, veprimtarinë e saj, sfidat edhe peripetitë  nëpër të cilat po kalon ajo, por gjithashtu si një mënyrë për tu vetëdijësuar mbi shërbimet që ne mund t’iu ofrojmë dhe të krijohet një hallkë në mes lexuesit dhe Bibliotekës, në mënyrë që të rritet edhe  cilësia jonë dhe kërkesa e lexuesit.”