Lojë Ping Pongu për të gjithë

09.04.18

“Të festojmë kënaqësinë e të luajturit Ping Pong duke sjellë njerëz së bashku“, kjo është motoja e Ditës Botërore të Ping Pongut e cila do të shënohet sot në Prishtinë, në Sheshin Zahir Pajazit, nga ora 11 deri në orën 16:00.

Jo vetëm Federata e Ping Pongut të Kosovës, por edhe Federata nga e gjithë bota organizojnë ngjarje të ndryshme, që sportin e Ping Pongut ta bëjnë më popullor, të përfshijnë njerëz të ndryshëm në kuptim të moshës, gjinisë, statusit shoqëror, kulturës dhe aftësisë fizike.

Në Kosovë kjo ditë ka filluar të shënohet në vitin 2016. E për qëllimin e shënimit të kësaj dite, ne biseduam me kryetarin e Federatës së Ping Pongut të Kosovës, Nehat Çitaku, i cili enkas për dëgjuesit e Radio KFOR-it, tha: “Ky organizim ka për qëllim të promovojë sportin e Ping Pongut, në qytetin tonë. Duke menduar që fëmijët, të rriturit por edhe pleqtë të njoftohen më shumë për karakterin e kësaj gare dhe pse jo më vonë disa nga ata fëmijë të cilët njoftohen sot, të bëhen anëtarë të klubeve të Ping Pongut të Kosovës, të cilat janë mbi 20 sosh në të gjithë Kosovën”, kështu tha zotëri Çitaku dhe po ashtu na njoftoi se organizimi i vitit 2017 ishte shpallur si organizimi më i mirë në Botë, e vlerësuar nga  Federata Ndërkombëtare e Pingpongut (ITTF) e cila është organi drejtues i sportit të Ping Pongut.

Ju të gjithë që dëshironi të bëheni pjesë e kësaj ngjarje përveç lojës dhe shoqërimit do të keni mundësi të argëtoheni edhe me muzikë e pije si dhe në fund do të keni mundësi të merrni një fanellë me logo të aktivitetit.