“Eja ta shohësh vetminë” e Lorik Sylejmanit

09.04.18

“Eja ta shohësh vetminë... është ftesë për të hyrë në botën e Lorik Sylejmanit…Ne mund ta kuptojmë këtë titull në formë ftese, ose si një parashikim  çuditërisht të errët të së ardhmes së njerëzimit, ose si një manifestim të vetmisë si gjendje njerëzore jo domosdoshmërish të keqe. Sido që ta kuptojmë, nuk do të gabojmë”.  Kështu shkruan Arta Agani, Drejtore e GKK-ë (Galeria Komëtare e Kosovës) për katallogun e ekspozitës  “Eja ta shohësh vetminë” e artistit Lorik Sylejmani e cila do të hapet të mërkuren më 11 prill në orë 9:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Eja ta shohësh vetminë”  është ekspozitë njëzet vjeçare e punës artistike e Lorik Sylejmanit.

“Titulli i ekspozitës vie nga filmi im pesë minutësh ekspreimental ‘’Won’t you come and see loneliness’’ që kryekpëut shtjellon idenë e vetmisë. Sot arti shtron pyetje të shumta dhe ka në shënjestër shoqërinë si tërësi. Njeriu, si individ pothuajse tërësisht është i lënë anash. E ky ishte qëllimi im, të flas për individin, për secilin prej nesh dhe vetminë tonë,  të cilën secili nga ne e përjetojmë çdo ditë në mënyra të ndryshme. Në fund të ditës, jemi vetëm”, thotë Sylejmani në një intervistë për Radio KFOR-in.

I pyetur për konceptin, artisti Lorik Sylejmani thotë: “Pasi janë në pyetje njëzet vite punë profesionale, është e pamundur pothuajse t’i ikësh shumë mediumeve. Prandaj hapësira e Galerisë Kombëtare të Kosovës është ndarë në tri dhoma dhe secila nga to përmbanë punë konceptuale, shfaqja e dy video filmave të shkurtë, piktura që për temë ka titulin ‘’Arti imiton jetën’’, edhe pse shumica prej tyre shpërthejnë në qindra ngjyra të cilat konvertohen në drita neoni apo laseri që aludojnë në prezencën e të qenit kolektiv në një hapsirë publike ku ndodhin techno seancat”.

Përmes "Eja ta shohësh vetminë" autori i ekspozitës përveç mesazhit që përçon, kërkon të kënaqë edhe syrin e artdashësve.

“Çdo artist, i çfarëdo lëmie që është, çdo punë që e bënë, synim e ka të lë përshtypje te publiku në veçanti. Këtë e synoj dhe unë. Është normale. Unë kam dhënë maksimumin nga vetja të kënaq çdo artdashës që do vijë në hapje të ekspozitës ose edhe në muajin në vijim sa do qëndrojë e hapur ekspozita. Dua që kjo ekspozitë të jëtë një festë për sy. Kjo do i përmbushte pritshmëritë e mia. Fundja ne bëjmë art për të shpërfaqë idetë tona në përgjithësi, e për ta kënaqë publikun në veçanti”, tha Sylejmani.

 

Ekspozita “Eja ta shohësh vetminë” do të jetë e hapur nga data 11 Prill  deri më 11 Maj 2018.