“Dita Botërore e Shëndetit”

06.04.18

Nesër më 7 prill, shënohet “Dita Botërore e Shëndetit” e cila festohet në 193 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo organizatë u themelua në vitin 1948, kurse çdo vit nga 1950 zgjidhet një temë që nxjerr në pah një fushë prioritare që shqetëson sektorin e shëndetësisë në botë.

Motoja e këtij viti është “Mbulueshmëria Shëndetësore Universale” ("Universal Health Coverage") e cila ka për synimin që të gjithë njerëzit të kenë qasje në shërbime shëndetësore cilësore, pa u ballafaquar me vështirësi financiare.

“Kosova, nuk është ende anëtare e OBSh-së, por bashkëpunon ngushtë me këtë organizatë në arritjen e objektivit: ‘Shëndet për të gjithë’, kështu tha Dr. Faik Hoti, Udhëheqës i Departamentit të Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë dhe më tutje shtoi se: “Dita Botërore e Shëndetit është, gjithashtu, një moment i mirë për të reflektuar për të arriturat; për t'i parë me sy kritik dështimet, vështirësitë dhe problemet dhe për t'u siguruar që sistemi shëndetësor në Kosovë, të jetë i përgatitur për të ofruar qasje të barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit pavarësisht përkatësisë së tyre entike.”

Dr. Hoti enkas për radio KFOR-in, shtoi: “Ky synim mund të arrihet me një vullnet të fortë politik të vendimmarrësve, përmes hapave konkret për të avancuar shëndetin e qytetarëve, sepse qasja në kujdes shëndetësor cilësor dhe mbrojtja e qytetarëve nga shpenzimet e mëdha financiare,  jo vetëm që e përmirëson shëndetin e tyre dhe rrit jetëgjatësinë, por, gjithashtu, mbron popullatën nga epidemitë e ndryshme, zvogëlon varfërinë dhe rrezikun e urisë, krijon vende pune përmes nxitjes së rritjes ekonomike dhe e forcon barazinë gjinore ”, kështu tha Dr. Faik Hoti, Udhëheqës i Departamentit të Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shëndeti publik është një koncept social dhe politik që synon në përmirësimin e shëndetit, zgjatjen e jetës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës midis gjithë popullsisë përmes promocionit, parandalimit të sëmundjeve dhe formave të tjera të ndërhyrjeve shëndetësore.