Avni Pantina së shpejti me ekspozitë në Prishtinë

19.03.18

Këtë të enjte (22 mars), në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të bëhet hapja e ekspozitës “Një jetë bardh e zi”, e autorit Avni Pantina.

Kjo ekspozitë përmban një set të fotografive bardh e zi që autori i ka realizuar në Somali të Afrikës. Karakteret e kapura nga syri i aparatit të Avni Pantinës paraqesin një popull të vuajtur dhe në varfëri të skajshme, mirëpo me një kulturë shumë fisnike dhe dinjitoze.

Deri më tani, z. Avni Pantina ka realizuar pesëmbëdhjetë ekspozita, prej të cilave shtatë në Turqi, një në Somali dhe të tjerat në Kosovë.
Z. Pantina është edhe fitues i disa shpërblimeve brenda dhe jashtë vendit si “Salloni i Nëntorit” në Prishtinë në vitin 2010, pastaj çmimin për grafikën më të mirë në vitin 2015 në Fakultetin e Arteve-Universiteti i Hacettepes në Turqi, etj. 

Ky projekt drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është z. Burim Myftiu. Vlen të theksojmë se kjo ekspozitë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, është ekspozita e tij e parë personale.