Kujtohet ariu i parë i shpëtuar nga FOUR PAWS dhe KFOR-i

16.03.18

E mbajtur në një kafaz të vogël, e braktisur, e pa ushqyer e me një të kaluar të tmerrshme, ariu me emrin Kasandra, me nismën e Organizatës Ndërkombëtare “FOUR PAWS”, tash 5 vite më parë ishte transferuar në shtëpinë e saj të përhershme në ‘Pyllin e Arinjëve Prishtina’.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, përgjegjësesja për Komunikim, Turizëm dhe Ngritje të Fondeve,  Zana Aqifi,  u shpreh e emocionuar që pikërisht sot shënohet 5 vjetori i funksionimit të kësaj strehimoreje, ku sot jetojnë të lumtur 19 arinjtë.
“Kjo ka ndodhur fatmirësisht përmes një bashkëpunimi që e kemi pasur e vazhdojmë ta kemi me KFOR-in, ku u mundësua shpëtimi i një airu dhe kështu filloi i gjithë procesi i punës për strehimoren e ‘Pyllit të Arinjëve Prishtina’. Tash në këtë vend jetojnë 19 arinjtë e lumtur, në kushte të përshtatshme dhe me një  jetë që e meritojnë, krijojnë aktivitete të lira në hapsirë, me një ambient të përshtatshëm për specien e tyre dhe në kushte të favorshme”, tha mes tjerash, Znj. Aqifi.

Gjithë këtë sukses Znj. Aqifi, ia atribuon edhe KFOR-it , meqë siç thekson ajo, nga ajo ngjarje e rëndësishme e shpëtimit të ariut dhe krijimit të strehimores së arinjëve, kanë rrjedhur edhe shumë aktivitete të tjera të frytshme.

“Ne e falenderojmë jashtëzakonisht shumë KFOR-in  për bashkëpunimin e shkëlqyer prej atëherë e deri më sot, meqenëse ne në vazhdimësi bëjmë aktivitete të përbashkëta për tolerancë dhe paqe në Kosovë”, përfundoi Znj. Aqifi.

Strehimorja ‘Pylli i Arinjve Prishtina’, ka të strehuar të gjithë arinjtë të cilët më herët kanë qenë të shpërndarë në tërë Kosovën, nëpër kafaze të vogla në restorane të ndryshme, për të tërhequr vizitorët.

Tek ky pyll, hyrja është me pagesë dhe të gjitha të hyrat përdoren për sigurimin e kushteve dhe ushqimin e arinjëve.