Poeti i dimensioneve evropiane tani edhe në Francë

16.03.18

Poeti i njohur kosovar, Bujar Tafa, këto ditë botoi vëllimin e tij më të ri “Mon triumphe/Triumfi im”, me 50 poezi në gjuhën frënge, në përkthim të poetes Ecaterina Chifu.

Konform kritikës letrare, Bujar Tafa ka propozuar që përvoja e jetës, përjetimet, dashuria, dhimbja, urrejtja, kujtimet, të jenë më të kompensuara, të metaforizuara, të rikrijuara, të ridhuruara sipas kuptimit dhe hijeshisë me të cilat i mvesh vargjet.

Autori na dhuron një himn lirik të qëndresës kosovare ndër breza, përmes pasqyrimit të lakmueshëm të poezisë së sotme moderne.

Poeti merr me vete dimensionet e jetës së tij, që nga fëmijëria e deri më sot, për të shfletuar të kaluarën dhe të sotmen, si procese jete në formatin e tij poetik.

“Poezia e tij është e kultivuar dhe e tërhequr në vijën e duhur të melodikës së një tingulli të qartë, sepse metafora e përdorur në vargun e tij është e kapshme për çdo nivel të lexuesit për ta kuptuar porosin e fjalës së shkruar, të vargëzuar në sistemin e vlerave poetike, që lexuesin e bëjnë të ndihet komod në leximin e kësaj vepre letrare”, vlerëson kësisoj, Remzi Limani.

Për krijimtarinë letrare të poetit Bujar Tafa, po shkruajnë edhe kritikët më të njohur letrar nga Franca, vendi më i shquar për kulturë, art dhe poezi.