Marko Caka drejt majave të Hollywood-it

15.03.18

Aktori shqiptar, Marko Caka i cili është duke ngjitur majat e karrierës së tij në Hollywood, tashmë ka nis xhirimet në një rol protagonist në serialin “Spies next door”, në regji të Erik Kirsten.

Ky serial i viteve të 80-ta, për nga dinamika e ngjarjeve, ka një ngjashmëri me historinë e vrasjeve të fundit të ish agjenteve të KGB nga spiunët rus në kryeqytetin londinez.

“Unë kam rolin e Boris, një ish agjent i KGB por që rekrutohet për shërbimin sekret të CIA-s. Ngjarjet e episodit janë të përqendruara në vitin 1982 në Virgjinia, ku Boris pasi ka braktisur familjen për t’i shërbyer shërbimit sekret të bllokut komunist, vendoset të kthehet në familjen e tij por që ndiqet këmba-këmbës dhe helmohet nga spiunazhi sovjetik i KGB”,tha për Radio KFOR-in, aktori Caka.

Ai poashtu shtoi se përmes këtij roli shumë të rëndësishëm në karrierën e tij, do të mund të depërtoj edhe më tutje në tregun e filmit amerikan.
“Boris është roli i parë protagonist i imi që shfaqet në televizionin amerikan dhe që premton për të ardhmen e karrierës sime në Industrinë e Filmit gjigant amerikan”,theksoi Caka.
Episodi i serialit hulumtues do të shfaqet në kanalin kombëtar amerikan A&E gjatë verës së këtij viti.

Në vijim ju sjellim disa fotografi të shkrepura gjatë xhirimeve të filmave të ndryshëm, me protagonist, aktorin Marko Caka.