8 Marsi - Dhuro gjak për nënën

08.03.18

Festa e 8 Marsit është një ditë që në vete përfshinë dashuri të pafund, për ato që na dhanë jetë nga jeta e tyre, por në procesin e lindjes, jo të gjitha nënat kalojnë pa probleme.

Pikërisht në këtë ditë, aksioni humanitar “Dhuroje për nënën”, i dedikohet kryesisht dhurimit të gjakut për nënat dhe gratë që kanë probleme ose komplikime gjatë lindjes, e organizuar nga “Innovation Centre Kosovo” (ICK) së bashku me organizatën për familjet në nevojë dhe qendrën e gruas “Mami”.

Dhurimi i gjakut fillon sot (08.03.18) nga ora 10 dhe vazhdon deri në orën 13, në lokalet e  “Innovation Centre Kosovo” pranë Mensës së studentëve, në Prishtinë.

“Aksioni për dhurim të gjakut në “Innovation Centre Kosovo”, në bashkëpunim me Shoqatën e Kompanive të IT-së dhe Qendrën për Transfuzion të Gjakut janë të shpeshta”, tha Shpend Lila, menaxher i departamentit të trajnimeve, ngjarjeve  dhe marrëdhënieve me publik në Innovation Centre Kosovo (ICK). Z. Shpendi shtoi se dhurata më e mirë për 8 Mars është dhurimi i një doze gjak, e cila mund të shpëtojë tre fëmijë të porsalindur.

“Ma e mira e të mirës është që ne meshkujt të japim për gratë, sepse ne nuk e dimë se si është të kalosh përmes një procesi të lindjes, plus në një far forme me u solidarizu edhe me gratë e pse jo me qenë edhe një dhuratë për ditën e gruas, në vend të luleve apo ndonjë dhurate tjetër me qenë një dozë gjak e cila ndoshta ka vlerën shumë më të madhe sesa ndonjë dhuratë tjetër që është më shumë komerciale.”

Z. Shpendi për Radio KFOR-in më tutje tregoi se ai është dhurues i rregullt i gjakut dhe u bëri ftesë edhe të tjerëve të dhurojnë gjak.

“Nuk e di, është një ndjenjë e papërshkrueshme edhe shkencërisht llogaritet që dhurimi i gjakut e përmirëson metabolizmin, shëndetin e personit që dhuron gjak për shkak që trupi, arrin me ripërtëri atë sasi gjaku që jep edhe natyrisht ndihmon edhe proceset e tjera shëndetësore.”

Duke i dëshiruar shumë suksese aksionit humanitar “Dhuroje për nënën”, përmes valëve të Radio KFOR-it u themi Gëzuar festën e 8 Marsit, për të gjitha nënat e ëmbla, të mira e të shtrenjta.