Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur

07.03.18

Në prag të ditës botërore të shëndetit oral, të ftuar në studion e Radio KFOR-it, ishin stomatologu i fëmijëve, Dr. Xheladin Ujkani dhe një paciente e tij e vogël, Era Dushi.

Gjatë emisionit u diskutua për shumë çështje që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe kujdesin që duhet treguar të gjithë ndaj dhëmbëve, me theks të veçant për fëmijët, për të cilët Dr. Ujkani dha këshilla e rekomandime të shumta.

Ai tregoi se për të pasur higjien të mirë të gojës, duhet dhëmbët të pastrohen dhe më tutje shtoi: “Pastrimi i dhëmbëve duhet të bëhet që nga dalja e tyre, të pastrohen me gazë dhe të shpëlahen me kamomil. Kur të fillon fëmija të rritet, dhëmbët duhet t’i pastrojë në mëngjes, para shkuarjes në shkollë, pas shkollës dhe para se të flenë.”

Mysafirja e vogël, pacientja e Dr. Xheladinit, Era përveç që tregoi se është shumë e kujdesshme në pastrimin e dhëmbëve ajo këndoi edhe këngën “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”.

Gjatë bisedës Dr. Xheladini tregoi poashtu për projekte të ndryshme që do të realizohen në të ardhmen e afërt. Ai tha se nga janari i këtij viti ka filluar t’i pajisë pacientët e tij me kartelë, që do të përfshijë gjendjen e fëmijës emocionale edhe shëndetësore. Pastaj është edhe projekti tjetër që do të realizohet me botimin e një reviste, që do të botohet çdo gjashtë muaj, me intervista me fëmijë që kanë dhëmbë të shëndoshë, do të ketë poezi, që përmes tyre do të edukohen edhe gjeneratat e ardhme.

Më 20 mars, në Ditën ndërkombëtare të Shëndetit Oral, do të realizohet marshimi i katërt me radhë me moton “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, që ka për qëllim informimin e fëmijëve-nxënësve mbi rëndësinë e shëndetit oral.