Një balerinë dhe një pedagoge e devotshme

07.03.18

E rritur nga një mësues dhe arsimdashës, Sabrije Spahiu, nga fundi i viteve të 70-ta zgjodhi një profesion sfidues dhe të stereotipizuar për shoqërinë në atë kohë. Ajo në vitin 1978 zgjodhi të ndiqte profesionin e baletit dhe nëpërmes këtij arti të bukur diplomoi në ‘Akademinë e Baletit dhe Operës’ në Shkup në klasën e Elizabeta Kushevska, duke thyer të gjitha paragjykimet për këtë profesion të ri në atë kohë. Ajo u bë njëra ndër balerinat e para në Kosovë dhe pas diplomimit iu bashkua  ‘Trupës së Baletit në Teatrin e Kosovës’. E motivuar nga dashuria e madhe për profesionin që kishte zgjedhur për shumë vite, ajo paraqitet në shfaqje të shumta të cilat nxorën në pah përkushtimin dhe talentin për këtë vallëzim delikat. ‘Vallja Pranverore’, ‘Carmen’, ‘Loja e Sizifit’, ‘Bolero dhe Shtrausiana’, janë vetëm disa nga shfaqjet në të cilat është paraqitur Sabrie Spahiu.

Gjithmonë e përkrahur nga familja, sidomos nga babai i cili ishte ithtar i shkollimit dhe emancipimit të gruas, ajo u kthye në një grua të fortë, një nënë e përkushtuar për t'u bërë kështu një pedagoge e më të vegjëlve. Në vitin 2003, ajo hapi studion e baletit ‘Mjellmat’, duke përcjellë pasionin e saj prej balerine te gjeneratat e reja.

Në një bashkëbisedim për Radio KFOR-in ajo tregoi për dashurinë e saj ndaj baletit dhe eksperiencën e saj si mësimdhënëse: “Kënaqësia më e madhe për mua është të punoj me fëmijët, të përcjellë mësimet dhe praktikën time në profesionin e tyre të ardhshëm dhe t'i ndihmoj ata në rrugëtimin e tyre profesional”.  

 

Ajo po ashtu tregoi për sfidat e shumta që sjell ky profesion por edhe kënaqësitë e panumërta. Spahiu tha se asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi para ëndrrave dhe dëshirave tona, të jemi gjithmonë këmbëngulës dhe të punojmë shumë për qëllimet tona.

Për ditën e mësuesit, ajo porositi të gjithë që ta duan arsimin dhe të punojnë gjithmonë me pasion: “Duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e mësuesit dhe arsimit dhe porosis të gjithë që arsimin ta marrim si një mision, ta duam dhe që t'i përkushtohemi më shumë, pavarësisht trajtimit që ia bën shoqëria jonë”, theksoi Spahiu.

Mësuesja e baletit Sabrije Spahiu, ende vazhdon të përcjellë me admirim profesionin e saj te më të vegjlit, në shkollën e saj të baletit me dashuri entuziazëm dhe pozitivitet të madh.