Dita e KFOR-it për Perspektivë Gjinore 2018

06.03.18

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it sot (06.03.18) po organizojnë një konferencë ndërkombëtare për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Kjo konferencë do të mbahet gjatë tërë ditës, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Film City në Prishtinë, ku të ftuara për të mbajtur fjalime rreth çështjeve gjinore, do të jenë zyrtare të larta nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare të cilat operojnë në Kosovë.

Me këtë rast gjenerali i KFOR-it në Kosovë, Salvatore Cuoci, tha se KFOR-i dhe NATO-ja janë të përkushtuar të ndërmarrin veprime për të miratuar, për të zbatuar tutje rezolutën 1325 të Kombeve të Bashkuara. Unë jam i nderuar që jemi të gjithë sot këtu me mysafirë të nivelit kaq të lartë, ekspertet e barazisë gjinore prej institucioneve të ndryshme, ushtarak, që të diskutojmë për këtë temë mjaftë të rëndësishme. Më tutje, Gjenerali për Radio KFOR-in shtoi:

“Ne po kontribuojmë edhe në perspektivën gjinore këtu në Kosovë dhe ne po bëjmë pjesën tonë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe për të gjithë ushtarët, gra dhe burra që shërbejnë në këtë mision. Me praninë e grave në misionin tonë, ne shpresojmë të rrisim ndjeshmërinë tonë dhe gjithashtu të kujdesemi për perspektivën gjinore dhe të kemi një mirëkuptim dhe qasje më të mirë edhe për gratë këtu në Kosovë.”

Kjo konferencë mbahet me rastin e ‘Ditës së KFOR-it për Perspektivë Gjinore 2018’ dhe pritet të diskutohen çështjet gjinore, me fokus të veçantë në “Perspektivën gjinore në siguri” dhe “Gjeneratat e reja në Kosovë”.

“Këtë vit shënimi i 8 Marsit është nën moton” Koha për të vepruar”.
Me rastin e 8 Marsit, ju dëgjues të nderuar do të keni mundësi të dëgjoni mesazhe konkrete nga penalistet, enkas për këtë ditë, në valët e Radio KFOR-it - 90.2 FM.