Hapet qendra psiko-sociale “Dritë”

05.03.18

Sot (5 mars) është bërë hapja solemne e qendrës psiko-sociale “Dritë”, në Gjilan. Kjo qendër ofron shërbime psikologjike, si terapi individuale, terapi në çifte, familjare, psiko- terapi për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur.

“Duke i parë të nevojshme shërbimet e tilla, ne bëmë hapjen e kësaj qendre, për Gjilanin, rajonin e Gjilanit, komunën e Kamenicës, Vitisë, Preshevën, Bujanocin, të cilat e kanë afër qendrën tonë”, tha për Radio KFOR-in, Drejtoresha e kësaj qendre, Merita Kamberi.

Ajo shoti se Qendra  psiko-sociale “Dritë” është e veçantë nga qendrat e tjera në Kosovë, sepse ofron shërbime logopedike, ka pedagogun special, psikologun klinik  si dhe ofron shërbime të tjera për fëmijë me nevoja të veçanta. Në fund të bisedës sonë, Drejtoresha Kamberi, kishte një mesazh për dëgjuesit e Radio KFOR-it:

“Trajtimi sa më i hershëm ka rezultate më të mëdha. Ne e dimë se të gjithë jemi të ndryshëm dhe të gjithë jemi të barabartë dhe i kisha lutur të gjithë prindërit që në momentin që i vërejnë fëmijët e vet që kanë nevojë ose kanë vështirësi ose diçka që i shqetëson,  të drejtohen në qendrën tonë.”

Fëmijët me nevoja të veçanta duhet përkrahur në mënyra të ndryshme, profesionale dhe mbi të gjitha, ta kenë vëmendjen dhe dashurinë tonë.