Vjollca Aliu dekorohet nga presidenti i Francës

01.03.18

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, është dekoruar me “Urdhrin Kombëtar të Meritës”, nga presidenti i Francës, Emmanuel Jean-Michel Frédéric Macron.

Këtë medalje, Znj. Aliu e ka pranuar mbrëmjen e së mërkurës (28.02.18) në rezidencën franceze në Prishtinë, duke u bërë kështu kalorëse e “Urdhrit Kombëtar të Meritës”.

Ceremonia është mbajtur pesë muaj pasi “Urdhri Kombëtar i Meritës” i ishte akorduar Valon Murtezajt, profesor permanent në Shkollën prestigjioze të Menaxhimit (IESEG) në Paris, ku ligjëron lëndët e diplomacisë dhe negociimit ndërkombëtar. 

“Urdhri Kombëtar i Meritës”, është një nga dekoratat më të rëndësishme që presidenti francez ua ndanë personaliteteve vendore e të huaja, çmim ky i cili është themeluar më 1963, nga presidenti i atëhershëm francez, Charles de Gaulle.