Fituesja e çmimit “Ariu i Kristaltë” mysafire në Radio KFOR

01.03.18

Në kuadër të emisionit të mëngjesit “Espresso Lounge”, sot (01.03.18), mysafire ishte regjisorja dhe aktorja e mirënjohur Arbneshë Grabovci- Nixha, roli kryesor i filmit holandez, ‘Keim Holijanda” i shpërblyer me çmimin ‘Ariu i Kristaltë’, në Berlinale. Filmi në fjalë trajton një temë sociale të një familje me kushte të rënda ekonomike.

Duke shpjeguar dhe duke dhënë detaje rreth filmit, Arbnesha së pari falënderoi Radio KFOR-in dhe theksoi: “Ju keni qenë përkrahës moral për mua, duke na ndjekur që nga fillimi në këtë rrugëtim”.

E sa i përket pjesëmarrjes në Berlinale, ajo shpjegoi se fillimisht ishin të dyshimtë, a të marrin pjesë apo jo, por më në fund  pjesëmarrja e tyre në këtë festival ia ka vlejtur, duke e marrë çmimin “Ariu i Kristaltë”.

Gjatë bisedës në studio Arbnesha lavdëroi punën e gjithë aktorëve dhe pjesëmarrësve të filmit e sidomos të Florist dhe Andi Bajgora, të cilët ishin protagonist të filmit. Ajo tregoi se me Floristin ka punuar edhe herave të tjera, në seriale dhe se është shumë e kënaqur me punën profesionale të tyre edhe pse janë të rinjë në moshë.

Pas bisedës së këndshme, në fund Arbnesha tregoi se filmin e lartpërmendur do të kemi mundësi ta shikojmë në ”Doku Fest”, që do të mbahet nga data 3 deri më 11 gusht 2018, në Prizren.