Dita Botërore e Mbrojtjes Civile

01.03.18

Sot (01.03.2018) shënohet Dita Botërore e Mbrojtjes Civile, e cila u krijua me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Mbrojtjes Civile (ICDO), në vitin 1990.

Kjo ditë përkujton hyrjen në fuqi të Kushtetutës së ICDO-së si një organizatë ndërqeveritare, në vitin 1972.
Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj dite është që të sjellë në vëmendjen e publikut botëror rëndësinë jetike të mbrojtjes civile, rritjen e ndërgjegjësimit për masat e gatishmërisë, parandalimin dhe vetë-mbrojtjen në rast aksidentesh ose fatkeqësish si dhe atë të nderimit të përpjekjeve, sakrificave dhe arritjeve të të gjitha shërbimeve kombëtare përgjegjëse për luftën kundër fatkeqësive.

Dita Botërore e Mbrojtjes Civile ofron edhe një rast më shumë për një sërë ngjarjesh si: biseda, konferenca, debate në radio dhe televizione si dhe ushtrime simulimi për parandalimin e fatkeqësive.

Kjo ditë gjithashtu ofron një mundësi për të vrojtuar zhvillimin e strukturave të mbrojtjes civile dhe të mjeteve si dhe pajisjeve teknike aktualisht në dispozicion.