Absolventët në UP publikojnë revistën ‘O’BOX’ - Foto

08.02.18

Studentët e vitit të tretë në departamentit e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, kanë publikuar revistën e tyre ‘O’Box”.

Me një seriozitet dhe dashurinë e studentëve për gazetarinë, pas një pune disa muajshe ata publikuan këtë revistë ku trajtohen tema të ndryshme. Revista përfshin tema politike, ekonomike, e deri te temat mbi kulturën e sportin, duke e bërë këtë revistë, një ofertë serioze për çdo lexues. 

Kryredaktori i kësaj reviste Elion Kollçaku, për Radio KFOR-in tha se ky projekt fillimisht nisi si pjesë e programit universitar dhe shtoi: 

“Realizimi i kësaj reviste, edhe pse në fillim ishte projekt obligativ në fakultet, më pas u bë punë e natyrshme ku studentët të përfshirë nga entuziazmi prej një gazetari, iu qasën me shumë seriozitet ”, theksoi Kollçaku. 

Ai po ashtu tregoi se kjo revistë do t’u ndihmojë atyre për të promovuar artikujt dhe punën e studentëve. 

“Kurorëzimi i punës dhe studimit të një studenti, është dalja me një produkt final, ku ai komunikon drejtpërdrejt me publikun. Mundësia e dhënë përmes publikimit të kësaj reviste është realizim i synimit të çdo studenti që përmes shkrimeve autoriale, të testojë veten si dhe përmes feedback-ut të bëjë edhe vetëkritikën”, shtoi Kollçaku. 

Studentët kanë falënderuar profesorin Bajram Kosumi dhe asistenten në departamentin e gazetarisë  Blerta Blakaj, për ndihmën e pakursyer të tyre.