112 në shërbim të qytetarëve 24/7

08.02.18

 

Sot, (08.02.2018) fillon shënimi i Ditës Evropiane i Numrit Emergjent 112. Në fakt kjo ditë shënohet më 11 shkurt, por që ngjarjet promovuese dhe njoftuese do të fillojnë të realizohen nga dita e sotme.
Promovimi fillon sot me komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe, për të vazhduar nesër me Prishtinën dhe Gjilanin.
Pjesëmarrës të këtyre aktiviteteve do të jenë përfaqësues të Policisë së Kosovës, Kryqit të Kuq të Kosovës, OJQ-ve, nxënës të shkollave fillore dhe të organizatave tjera që merren me çështjet emergjente si dhe qytetarët e rastit.

Ditën Evropiane të Numrit 112 do ta organizojë Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme me mbështetje nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) .

Se çka ofron numri 112, Agjencia e Menaxhimit Emergjent në faqen e saj zyrtare shpjegon:

Numri 112 është numër emergjent, falas në Kosovë, i përdorur qysh nga viti 2002. Marrja e 112-shit është e mundur nga telefonia fikse dhe ajo mobile për çdo nevojë emergjente, të tilla si: ndihma emergjente mjekësore, ndihma në fikjen e zjarreve dhe shpëtimin e personave të rrezikuar dhe shërbimet e nduarnduarshme të Policisë së Kosovës.

Më tutje ata shpjegojnë se me rastin e marrjes së 112-shit, do t’ju përgjigjet një operator i trajnuar për pranimin e thirrjeve emergjente, i cili varësisht nga emergjenca juaj do t’i ndërmerr edhe hapat e nevojshëm që ju ta merrni atë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë operatori në fjalë do t’i udhëzoi edhe shërbimet që t’iu dalin në ndihmë. Nëse e merrni 112-shin për shaka, fillimisht do t’i ngarkoni linjat pa nevojë dhe do t’ua merrni të drejtën atyre që janë në nevojë për ta fituar ndihmën e kërkuar që është shumë jetike për ta. Përveç kësaj, thirrjet e tilla trajtohen si vepër penale dhe mund të ndiqen penalisht.