Strehimorja e parë për viktimat e dhunës në familje

07.02.18

Organizata ‘SAMS’ nga SHBA-të në bashkëpunim me KFOR-in Italian në Kosovë kanë dhuruar një donacion për të ndihmuar hapjen e një strehimore për gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës në familje, në komunën e Novobërdës në Kosovë. Komandanti Amerikan i kontigjentit të këtij vendi në Kosovë, David Mason Junior, në një intervistë për Radio KFOR-in tha se organizata ‘SAMS’ në Kosovë në bashkëpunim me italianët kanë identifikuar se kush ka nevojë më së shumti për ndihmë dhe duke punuar me komunën e Novoberdës panë se ata kishin një shkollë që do ta shëndrronin në një strehimore për gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës familjare.

 

“Gjatë punës me KFOR-in italian, pasi ata kanë një kontingjent të madh, ne kemi punuar për të identifikuar se kush ka nevojë më së shumë për ndihmë dhe komuna e Novobërdës kishte një shkollë që donin të dhuronin si një strehë për gratë që janë viktima të dhunës në familje. Organizata ‘SAMS’ dhe italianët, e pranuan që fitimet nga ‘SAMS’ duhet të shkonin në një organizatë në Kosovë. Komuna po e mbështeste këtë ide, por megjithatë ata kishin nevojë për fonde për të operuar”, tha komandanti David Mason Junior.

Ai tregoi se të gjitha përgatitjet për hapjen e kësaj strehimore janë kryer po ashtu është bërë edhe rindërtimi dhe modifikimi i kësaj shkolle që do të shëndrrohet në strehimore.

Komandanti Mason, po ashtu tha se gratë e strehuara do të jenë të mbrojtura 24 orë duke shtuar që ceremonia e hapjes mendohet të ndodhë në fund të muajit Shkurt.

“Me komunikimin e bërë kohëve të fundit, me gratë e komunës, qëllimi ynë është që të startojmë për disa javë. Natyrisht, ka disa gjëra që duhet të vendosim në vend, prandaj ceremonia e prerjes së shiritit synohet të jetë në fund të muajit shkurt”, theksoi Mason.

Ai po ashtu porositi të gjithë njerëzit në Kosovë se gratë dhe burrat duhet të jenë partnerët të barabartë dhe gratë nuk duhet të jenë të nënshtruara.