Radio KFOR-i viziton fëmijët e prekur me kancer dhe leukemi

02.02.18

Në prag të ditës Botërore kundër kancerit (04 shkurtit), ekipi i Radio KFOR-it së bashku me 2 paqëruajtës të KFOR-it shënuan këtë ditë përmes një aktiviteti simbolik në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, duke vizituar nga afër fëmijët që trajtohen në këtë Klinikë e që janë të prekur me leukemi dhe kancer.

Stafi mjekësor i udhëhequr nga shefja e repartit të Hemato-Onkologjisë, Violeta Grajqevci, mbeten të përkushtuar për kujdes sa më të madh në trajtim sa më profesional ndaj fëmijëve të prekur me këto sëmundje, megjithë mungesën e kushteve për trajtim të nevojshëm të tyre.

Cilat janë vështirësitë konkrete me të cilat përballet ky repart çdo ditë dhe sa të vetëdijshëm janë prindërit për parandalimin dhe trajtimin me kohë të kësaj sëmundjeje, Dr. Violeta  Grajqevci për Radio KFOR-in theksoi:

 “Afërsisht 70 % të rasteve që na lajmërohen në Klinikë, trajtohen tek ne falë donacioneve të  shoqatave të ndryshme humanitare, të cilët na e sigurojnë sidomos kimioterapinë, e cila është e  domosdoshme për këta fëmijë, në mungesë të sigurimit total të tyre nga Institucionet përkatëse, prandaj një përqidnje e vogël e tyre detyrohen të dalin jashtë Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm”.

Megjithëse natyra e kësaj sëmundjeje dhe simptomat klinike të saj janë të fshehura, Dr. Grajqevci rekomandon vigjilencë dhe kujdes të shtuar për parandalimin dhe trajtimin sa më të hershëm të saj, ku ndër të tjera shtoi:

 “Nëse prindërit vërejnë anemi apo gjëndra të larta limfatike, ndryshime në lëkurë në formë të gjakderdhjeve të imta, gjakderdhje nga hunda, lodhje, plogështi, infeksione, simptoma këto që manifestohen rëndom në këto raste, të mos i neglizhojnë ato, por menjëherë të paraqiten tek Reparti i Hemato-Onkologjisë”.

Dita Botërore kundër Kancertit është një nismë e Unionit Ndërkombëtar për Kontrollin e Kancerit (UICC), e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka për synim ngritjen e vetëdijes dhe edukimit për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes së kancerit.

Për të sjellë pak diell dhe buzëqeshje tek këta engjej, ekipi i Radio KFOR-it dhe pjesëtarët forcave paqëruajtëse te KFOR-it, ndanë edhe disa dhurata për ta.