Intervista ekskluzive e Admiralit Foggo III për Radio KFOR-in

02.02.18

Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admirali James Foggo III dhe Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci, sot vizituan urën kryesore në Mitrovicë. Kryetarët e komunave të Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri dhe kryetari i komunës veriore, Goran Rakic, po ashtu ishin prezentë. Me këtë rast Admirali James Foggo III enkas për Radio KFOR-in, iu përgjigj pyetjeve se sa është i rëndësishëm misioni i KFOR-it në Kosovë dhe se cila është arsyeja e vizitës se tij në urën e Mitrovices:

“Unë kam ardhur këtu me miratimin e komandës dhe pata rastin të fluturoja në tërë Kosovën dhe të shihja të gjitha anët kryesore në Kosovë me helikopter. E përshpejtova vizitën time në Mitrovicë, për shkak të situatës që ndodhi disa javë më pare, për shkak të vrasjes së z. Ivanoviç. Doja të vija këtu vetë dhe e di që gjenerali Cuoci ka qenë këtu gjithashtu për të siguruar një mesazh sigurie për paqe dhe stabilitet. Kam pasur rastin edhe të bisedoj me Kryetarin e Komunës dhe unë kam qenë shumë i impresionuar nga ajo që ai dhe policia më kanë thënë në anën jugore të urës dhe tani pres që të shkoj edhe në anën veriore dhe të takoj kryetarin dhe gjithashtu Shefin e policisë në anën veriore të Mitrovicës. Mendoj se situata është e qëndrueshme dhe e qetë dhe natyrisht që duam t'i mbajmë në këtë mënyrë. KFOR-i është absolutisht thelbësor, është një mision i stabilitetit dhe i sigurisë për të mbajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt. Në të vërtetë unë sapo u largova nga Beogradi dje, ku kam pasur biseda të njëjta edhe me Ministrin e Mbrojtjes, Shefin e Mbrojtjes dhe me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Unë mendoj se të gjithë, në të dyja anët e vijës kufitare administrative, janë në pajtueshmëri se nuk ka zëvendësim për paqen dhe stabilitetin’, tha ekskluzivisht për Radio KFOR-in Admirali, James Foggo III.