Arkitektja Arta Basha Jakupi e suksesshme edhe në Amerikë

30.01.18

Pas sukseseve të njëpasnjëshme në fushën e arkitekturës, Prof. Ass. Dr. Arta Basha Jakupi, vazhdon ngritjen e saj akademike përmes kërkimeve të mëtejme shkencore.

Aktualisht Prof. Arta ndodhet në Universitetin “Massachusets Institute of Technology”, në Boston të SHBA, si përfituese e grantit “Fulbright Scholar” nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili cilësohet si një nga grantet më prestigjioze.

Në bazë të rangimit ‘QS World University Rankings’, Universiteti “Massachusets Institute of Technology”, rangohet si Universiteti nr.1 në botë në lëminë e arkitekturës.

Në këtë mënyrë, nuk do të jetë përfituese vetëm profesoresha Arta dhe studentët, të cilët do të mund të përfitojnë nga njohuritë e saj, por dhe Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Universiteti i Prishtinës në përgjithësi.

“Në këtë mënyrë do të mund të krijohet mundësia e një bashkëpunimi në mes dy universiteteve respektive, për projekte, konferenca apo trajnime të ndryshme në të ardhmen”, theksoi mes tjerash per Radio KFOR-in, Profesoreshë Arta.

Arta Basha Jakupi, studimet Universitare i ka mbaruar në Fakultetit e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2006 ka vijuar studimet pasuniversitare në Buahaus Kolleg–Dessau të Gjermanisë, ku projekti i saj përfundimtar “Green Zero” mbi urbanizmin, u zgjodh në mesin e tre më të mirëve për post produksion.

Studimet e doktoratës i ka përfunduar në vitin 2012 pranë Universitetit të Bauhausit në Weimar, Gjermani, me vlerësimin “Cum Luade”, dhe më këtë rast u bë njëra ndër doktorantet më të reja dhe të pakta në fushën e Arkitekturës në Kosovë.

Më 2010-2017, ka qenë shefe e Katedrës së Vizuelizimit Hapësinor, Grafikë dhe Formësues.

Ajo vazhdon të punojë në cilësinë e profesoreshës dhe koordinatores për zhvillim akademik në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. 

Ka fituar një numër të madh bursash, përmes së cilave ka realizuar hulumtimin e postdoktoraturës në Austri si dhe qëndrime të tjera studimore, si në Japoni, Hungari, Itali , Gjermani, etj. 

Profesoresha Arta, ka të shkruar një monografi shkencore, një numër punimesh shkencore dhe projekte të ndryshme arkitektonike.