Radio KFOR bashkon fëmijët shqiptar dhe serb për festat e fundvitit

28.12.17

Muzika është gjuha universale e botës dhe ajo na bashkon pa dallime etnike dhe fetare. Në ambientet e KFOR-it mbrëmë u bashkuan dy shkolla muzikore për ta përmbyllur fundvitin me tinguj muzikorë. Shkolla e muzikës "Prenk Jakova" nga Prishtina dhe "Stevan Hristic" nga Gjilani, dhuruan një ngrohtësi përmes performancave të tyre për pjestarët e Kforit, të cilët festat e fundvitit i kalojnë larg familjeve të tyre. 

Koncerti multietnik përpos që solli magjinë e festave mundësoj edhe krijimin e miqësive të dy shkollave dhe mishërimit nëpërmes muzikës. Nuk e thonë kot, muzika largon ndjenjat e këqija dhe trishtimin duke ndihmuar në harmonizimin e gjendjes shpirtërore dhe krijimin e emocioneve pozitive. Këto emocione, më së miri i transmetuan fëmijët e këtyre dy shkollave, të cilat përmes pikave të përgatutura dhuruan çaste mbresëlënëse për të gjithë të pranishmit, sidomos për protagonistët kryesor, e që në këtë rast ishin pjesëtarët e forcave të Kforit me në krye Komandantin e tyre, Gjeneral Major Salvadore Cuoci. “Muzika then kufinjët! Vetëm me përkushtim dhe bashkëpunim të ndërsjellë mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritur për të gjithë. Falemnderit Radio KFOR-it që na mundësoj një koncert kaq mbresëlënës dhe festiv. Falemnderit fëmijët e dashur, urime festat e fundvitit”, u shpreh Komandanti Salvatore Cuoci. Elit Hoti, solo-këngëtari nga shkolla "Prenk Jakova" në Prishtinë, ishte shumë i lumtur që edhe një herë pati mundësinë të këndojë me fëmijët e komunitetit serb. "Ashtu si në koncertin e kaluar, edhe kësaj rradhe u argëtuam dhe dëshmuam se përmes muzikës ne si të rinjë i kapërcejmë dallimet tona dhe e falenderoj Kforin për bashkëpunimin dhe mundësinë të sjellim këtë koncert", theksoi ai. Verën e kaluar Radio KFOR-i organizoi një koncert humanitar "Të bashkuar përmes Muzikës", ku të gjitha të hollat e grumbulluara iu dhuruan shkollave përkatëse për blerjen e instrumenteve muzikore.