Intervista ekskluzive për Radio KFOR-in me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci

14.12.17

Ju jeni Komandanti i 22-të i KFOR-it. Cili do të jetë qëllimi juaj i misionit në periudhën e ardhshme 12 mujore?

Marrja përsipër e komandës si Komandant i Forcës së Kosovës është një nder i madh për mua. E kuptoj privilegjin e madh që më është dhënë mua dhe nuk do ta marr detyrën me lehtësi. Me padurim pres sfidën kërkuese, por më tepër me padurim pres të punoj me ushtarët profesionistë dhe personelin profesionist civil të KFOR 22. 

Motoja të cilën e kam zgjedhur është “Përkushtim i qëndrueshëm” dhe tregon mënyrën time të përpjekjes që do të vazhdojë të jetë e njëjtë, duke kontribuuar për një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes. Të gjitha kontingjentet paraprake kishin bërë një punë të mrekullueshme këtu në Kosovë dhe në veçanti dua të theksoj përparimin që është bërë kohëve të fundit, sidomos në lidhje me gjendjen e sigurisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim institucionet në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare për zhvillimin e një Kosove stabile, demokratike, shumetnike dhe paqësore.  

Sipas jush, cilat janë fushat më të ndjeshme në Kosovë që kërkojnë më shumë vëmendje nga KFOR-i?

KFOR-i është një storie e suksesit për NATO-n; është operacioni me kohëzgjatje më të madhe me më shumë se 4000 trupa në terren që vijnë nga aleatët dhe partnerët. NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.  Ajo ka kontribuuar në normalizimin progresiv të situatës së sigurisë në rajon dhe për 18 vitet e fundit KFOR-i ka ndihmuar në shndërrimin e Kosovës në një vend më të sigurt. Sot, gjurmët e NATO-s në Kosovë shkojnë përtej pranisë sonë ushtarake. Ne jemi të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe progresi i arritur është një shembull i aftësisë së NATO-s për të ofruar mbështetje në ndërtimin e kapaciteteve. FSK-ja është një forcë profesionale dhe shumetnike. Ka arritur jashtëzakonisht shumë. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë ndërtimin e një Force të aftë të Sigurisë së Kosovës si dhe të strukturës së saj civile, brenda mandatit tonë aktual dhe gjithashtu përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).  Gjithashtu do të vazhdojmë që për së afërmi të përcjellim debatin për të ardhmen e Kosovës. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje e institucioneve lokale të Kosovës, në pajtueshmëri me procedurat kushtetuese të tyre. Kjo është një çështje e brendshme, së cilës duhet t’i adresohet në mënyrë të përgjegjshme. Një tjetër fushë e ndjeshme është dukuria shumë komplekse e terrorizmit. Asnjë shtet i vetëm nuk mund të përcaktohet si tërësisht imun nga kjo. Institucionet në Kosovë e kanë marrë me shumë seriozitet këtë dukuri. Në fakt, parlamenti ka miratuar një ligj të rëndësishëm për të ndëshkuar ata njerëz që vendosin të luftojnë në vendet e huaja. Organizatat terroriste zakonisht rekrutojnë ndjekësit e tyre, aty ku ekzistojnë kushte të veçanta sociale dhe ekonomike, si: varfëria, margjinalizimi dhe mungesa e perspektivës së ardhshme, andaj, nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse. Kjo është gjithashtu arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të gjithë aktorët relevantë në Kosovë të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet në Kosovë, ata padyshim janë aktorët kryesorë në këtë drejtim. Kryerja e veprimeve kundër terrorizmit nuk është e autorizuar në mandatin e KFOR-it. Sidoqoftë KFOR-i është tërësisht i vetëdijshëm dhe vigjilent për këtë kërcënim dhe vazhdimisht vetëdijesohet mbi situatën, kryen vlerësime të rregullta të sigurisë, për të përcaktuar ndonjë masë që mund të kërkohet.

Cila do të ishte porosia e juaj për dëgjuesit e Radio KFOR-it?

Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova, dhe KFOR-i do të mbetet një forcë e fuqishme dhe e besueshme, e aftë për të kryer misionin e saj për aq kohë sa është e nevojshme. Misioni ynë në Kosovë është për sigurinë, jo për shpejtësinë, gjersa ndryshimet në qëndrimin e forcës së KFOR-it, mbeten të bazuara në kushte dhe jo në kalendar. "PËRKUSHTIMI I QËNDRUESHËM” nga 28 kombe dhe nga unë sigurohet që të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike, shumetnike dhe paqësore.