Bëhu Babadimër – gëzo familje!

14.12.17

Gjysma e fundit të dhjetorit është koha më e bukur e vitit. Te gjithë kemi ide dhe plane se si ta bëjmë këtë kohë edhe më të këndshme, por jo të gjithë mendojnë vetëm për vete. Jusuf Islami nga organizata “Projekti 5-cent”, mori përsipër një iniciativë humanitare duke organizuar një mini-maratonë “Bëhu Babadimër” e cila do të mbahet më 17 dhjetor, duke filluar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, në orën 13:00.  Që nga 17 nëntori, në sheshin “Zahir Pajaziti” është vendosur tenda me rroba të Babadimrit, të  cilat kanë të bashkangjitur edhe numrin e mini-maratonës. 

“Qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është gëzimi i fëmijëve në nevojë. Ne duam që atyre fëmijëve tu sjellim buzëqeshje në fytyrë.”, kështu tha, Jusuf Islami gjersa ishte mysafir në studion e Radio KFOR-it. Gjatë bisedës Jusufi pati mundësi të tregojë më gjerësisht rreth projektit si dhe qëllimin e tij. Ai tha se të gjithë te interesuarit mund të shkojnë në Sheshin “Zahir Pajazit” , në Prishtinë, për të blerë kostumin e Babadimrit të cilat kushtojnë vetëm 10 Euro.  Duke ia kaluar për mrekulli në studion e radios sonë, Jsufi tregoi se gjatë kësaj mini-maratone do të ketë edhe aktivitete të tjera për tu argëtuar, duke përfshirë edhe muzikë.Me tutje Jusufi falënderoi të gjithë ata që kontribuon në realizmin e këtij aktiviteti human, dhe në veçanti i falënderoi edhe pjesëtarët e KFOR-it, të cilët pranuan të kontribuojnë duke i blerë kostumet. Në pyetjen tonë se cili do të jetë projekti i radhës, Jsufi tha: “Mendojmë ta organizojmë një ekspozitë me foto të Babadimrave, të vendosura në kornizë. Dhe prapë ato të holla të shkojnë për njerëzit në nevojë.” Sipas Jusufit, Kosova ka nevojë për organizime të tilla, sepse vetëm me mini-maratonën do të përfitojnë rreth 400 familje. Dhe fare në fund të bisedës,Jusuf Islami nga organizata “Projekti 5-cent”, u bëri thirrje të gjithë dëgjuesve tanë që t’i bashkohen aktivitetit në fjalë. “Së pari dua ta falënderoj Radio KFOR-in për ftesën dhe dua ta shfrytëzoj rastin t’i ftoj dëgjuesit e juaj të bëhen pjesë e mini-maratones  humanitare  “Bëhu Babadimër”. Ejani dhe argëtohuni njëkohësisht”.