“Let’s Do It Kosova” largon mbi 25 kamionë mbeturina në Mitrovicë

16.02.17     postuar nga: DiTa

Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova” ka rikthyer aktivitetet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, me qëllim të largimit të mbeturinave nga lokacione të ndryshme dhe vetëdijësimin e qytetarëve për rëndësinë e mjedisit të pastër.

Rreth 60 vullnetarë të “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me banorët e Komunitetit Romë, kanë realizuar dje (15.02.2017) një aksion pastrimi në Lagjën e Romëve në Komunën e Mitrovicës, nga ku janë larguar 25 kamionë me mbetje familjare dhe rreth 200 thasë me mbeturina plastike.

Aksioni i djeshëm është mbështetur edhe nga zyra e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Mitrovicës, ndërsa thasët me mbeturina janë larguar nga ndërrmarrja “Uniteti”, e cila ka ofruar makinerinë e saj për realizimin e këtij aksioni. Lëvizja “Let’s Do It Kosova” do të vazhdojë me organizimin e aksioneve të pastrimit dhe aktiviteteve të ndryshme që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit. Por, që këto aktivitete të jenë më të suksesshme, ata i kanë bërë thirrje për ndihmë secilit banorë Kosovarë që ndërgjegjësohen për obligimet e tyre karshi mjedisit dhe të mos e ndotin ambientin me hudhjen e mbeturinave vend e pavend.

Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova” njofton të gjithë se këtë vit (2017), në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, rëndësi e veçantë do t’iu kushtohet lokaliteteve me komunitete të përziera. Në të gjitha lagjet rome, do të realizohen aksione me moton “DEPUTETI ME NE”, meqë në të gjitha këto aksione do të marrë pjesë edhe deputeti Kujtim Paçaku.

Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova” do të vazhdojë aksionet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, ku aksioni i radhës do të realizohet në kampin në fshatin Plemetin.