Çdo ditë temperaturat janë në ngritje e sipër, dhe patjetër se këngëtarët e shoubizit shqiptar dëshirojnë t’í shijojnë këto ditë të bukura larg angazhimeve dhe streseve të përditshme. Gazeta Bluetooth ka publikuar planet e disa prej këngëtarëve.
Alban Skenderaj: Korriku dhe gushti është tërësisht i zënë me koncerte të ndryshme për të. Udhëtime intensive, skenë më skenë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Është shumë i zënë dhe i paqartë për ditë të planifikuara pushimi pasi nuk mund të ketë të tilla. Gjithsesi në këtë periudhë këngëtari do të përfitojë të realizojë edhe disa ditë pushimi me shoqërinë e tij më të ngushtë.
Jonida Maliqi: Nuk ka kaluar shumë që nga përfundimi i muajit të mjaltit të cilin e kaloi në Majami dhe Neë York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë ndodhet në Tiranë ndërsa ditët e pushimit i bën herë pas here, kryesisht tek pishinat tek ’Kartodromi’, vend i cili është nën menaxhimin e Gentit bashkëshortit të saj. Shkon atje çdo fundjavë duke u bashkuar kështu me shumë VIP-a të tjerë që e zgjedhin pishinën si vend relaksi.
Ingrid Gjoni: Do të jem nga Velipoja në Sarandë, nga Saranda në Pejë, më pas në Itali në Milano për tre ditë. Më pas sërish në Shqipëri, do jem Në Borsh. Të gjitha këto janë data të zëna koncertesh. Është një periudhë shumë e ngjeshur për mua por megjithatë paraditeve do të përfitoj pak për të bërë disa orë plash. Në shtator bashkë me një grup këngëtarësh do të shkojmë në Turqi.
Çiljeta: Të njëjtën periudhë intensive me koncerte ka edhe Ciljeta. Janë po të njëjtat data si të Ingridit por të realizuara veç e veç ndërsa fundjavat janë të njëjta. Në fakt dy vajzat kishin shumë plane për të kaluar disa ditë pushimi bashkë, por për shkak të koncerteve për momentin është hequr dorë. Çiljeta do të shoqërohet në pjesën më të madhe të rasteve edhe nga i dashuri i saj tashmë prej shumë kohësh Romeo.
Landi - “West Side Family”: Është ende i angazhuar me shumë punë por padyshim disa ditë pushimi do t’i gjejë dhe do t’i qëndrojë besnik jugut të vendit, ku dhe preferon të shkojë zakonisht. Disa ditë në Vlorë, Himarë, Dhërmi e më larg bashkë me të fejuarën Irisin dhe shoqërinë e përbashkët që kanë.