“BONEVET Prishtina” do të organizojë “Javën e Kodimit”, e cila do të zgjasë për tri ditë radhazi, nga 15 deri më 17 janar, në objektin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke u dhënë mundësi të rinjve të mësojnë gjuhë të ndryshme programuese si “Scratch” dhe “Python”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Edona Bejtullahu, mentore në “BONEVET”, e cila ka treguar më shumë për organizimin e “Javës së Kodimit”: “Sikur në javët e kaluara edhe këtë javë në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të mbahen disa punëtori. Nesër do të mbahet një punëtori për gjuhën programuese “Scratch”, ku fëmijët mund të krijojnë animacione, lojëra dhe skenarë të ndryshëm. Ditën e enjte është një punëtori që njihet si “Code Kit”, ku programimi lidhet me elektronikën dhe fëmijët mund të krijojnë lojëra të ndryshme, që u pëlqejnë atyre. Ndërsa, ditën e tretë punëtoria është për më të rritur, të cilët do të punojnë me gjuhën programuese “Python”. Qëllim i kësaj punëtorie është që të rinjtë të vinë dhe t’i provojnë këto programe që ne i ofrojmë. Numri është i limituar, do të jenë vetëm nga tetë pjesëmarrës në secilën punëtori. Ju bëjmë thirrje që të marrin pjesë të gjithë ata që janë të interesuar për programimin”, tha Bejtullahu për Radio KFOR-in.
Për t’u bërë pjesë e “Javës së Kodimit’ të interesuarit duhet të regjistrohen në emailin prishtina@bonevet.org, duke shkruar emrin, mbiemrin dhe moshën.