Në Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë, nesër (12.12.19) duke filluar nga ora 19:00, “Sbunker” do të shfaqë filmin “Pink Saris”. Në kuadër të këtij aktiviteti, përveç shfaqjes së filmit do të dhurohen disa libra dhe do të mbahet edhe një diskutim në lidhje me tematikën e filmit të shfaqur. Filmat që do të shfaqen në Kino “Jusuf Gërvalla”, janë siguruar nga programi i Dokufest “Shkolla dhe Filmi Dokumentar”, të komisionuara nga “The WHY Foundation” nga Danimarka dhe kryesisht kanë karakter edukativ.
Radio KFOR-i ka kontaktuar projektmenaxheren në “Sbunker”, Alora Hyseni, e cila ndër të tjera ka treguar për qëllimin e organizimit të këtij aktiviteti në qytete të ndryshme të Kosovës:
“Nata e filmit dhe dhurimit të librit ka nisur para dy viteve në Prishtinë dhe duke e parë interesimin e madh të njerëzve aty, ne kemi vendosur që këtë natë ta shtrijmë edhe në qytete të tjera të Kosovës, si Gjilan, Prizren dhe Pejë. Përmes këtij eventi mundohemi që me i dhuru publikut sa më shumë filma me karakter edukativ dhe që trajtojnë të drejtat e njeriut. Përveç shfaqjes së filmit, duam që edhe të ketë diskutim për filin në fjalë. Ndërsa, është stimulim shumë i mirë nëse dhuron libra në netët e filmit, sepse libri i bën njerëzit të vijnë më shumë dhe është dhuratë shumë e mirë për dikë që merr pjesë në diskutim. Hyrja është falas për të gjithë të interesuarit”, njoftoi projektmenaxherja Hyseni.
Nata e filmit dhe dhurimit të librave e organizuar në kuadër të programit alternativ të edukimit “TruAktiv” është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.