Fëmijët do të kenë mundësi të ndërtojnë struktura komplekse përmes lojës puzzle, të zgjedhin gjëegjëza nga objketet e printuara 3D dhe të luajnë rolin e detektivit përmes dekodimit të mesazheve të fshehura. Të gjitha këto aktivitete të lartpërmendura, do të organizohen në Javën e Matematikës dhe Robotikës, një aktivitet ky i veçantë, i organizuar nga “Bonevet”, që për qëllim ka ti njoftojë fëmijët me mënyrën se si mësohet matematika inspiruese dhe lego robotika. Radio KFOR-i kontaktoi njërin nga mentorët në organizatën “Bonevet”, Gresa Bajraktaraj, nga e cila mori më shumë informacione reth këtij eventi: “Eventi do të mbahet në kuadër të ekspozitës së Driant Zenelit, do të organizohet java e matematikës dhe lego robotikës, që ka për qëllim ti ofrojë fëmijëve hapësira për tu njoftuar me aktivitetet që i organizon “Bonevet”. Ky organizim është i planifikuar për fëmijët, mirëpo do të jetë i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të dijnë më shumë rreth matematikes inspiruese dhe lego robotikës.”
Kjo ngjarje do të mbahet përgjatë datave 22 dhe 23 Janar, kurse të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje duhet të regjistrohen në emailin prishtina@bonevet.org, duke shkruar emrin, mbiemrin, moshën e pjesëmarrësit si dhe një numër kontaktues.