Për herë të parë në Kosovë, nga data 10 deri më 12 tetor, mbahet “Festivali Ndërkombëtar i Filmit Sportiv “Prishtina 2020”, nën organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Për të mësuar më shumë rreth këtij festivali, Radio KFOR-i, intervistoi Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin, i cili theksoi: “Më 10 tetor është hapja solemne, ku do të shfaqet një film që i dedikohet Kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi. Ndërsa, të dielën dhe të hënën nga ora 11:00 deri në ora 20:00, do të fillojnë shfaqjet e 30 filmave, 19-të prej tyre janë filma ndërkombëtar, janë filmat më të mirë që janë shfaqur një vit më parë në Festivalin Ndërkombëtarë në Milano të Italisë dhe po ashtu do të shfaqen 11 filma vendor. Meqë është festivali i parë nuk do të jetë konkurrues, por nga Komiteti Olimpik i Kosovës janë përzgjedhur 7 filma vendor, që do të jenë konkurrent në mesin e qindra filmave botëror, në nëntor, në Festivalin Ndërkombëtar në Milano.”
‘Festivali Ndërkombëtar i Filmit Sportiv – Prishtina 2020’ do të mbahet në Kino ABC dhe për të gjithë dashamirët e filmave sportiv, hyrja do të jetë falas.