Duke filluar nga sonte (5 nëntor) e deri më 26 nëntor, në Kino “ARMATA” do të shënohet muaji i filmit hungarez.
Kjo do të realizohet në kuadër të projektit “Javët e Kulturës Hungareze”, organizuar nga Ambasada e Hungarisë në bashkëpunim me Kino “ARMATA”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Alush Gashin nga Kino “ARMATA”, i cili ka bërë të ditur se aktivitetet në kuadër të këtij muaji do të nisin sonte me shfaqjen e filmit “The Witness”, të regjisorit Peter Bacso dhe më tutje shtoi:
“Ky është një prej projekteve të Kino “Armata”, të cilat po i zhvillojmë në bashkëpunim me zyre të ndryshme ndërkombëtare, kryesisht departamente kulturore me qëllim që të sjellim tek shikuesit kosovarë autorë të ndryshëm të mbarë globit, me qëllim që me promovur atë që e kemi synim kryesor: kulturën alternative dhe dialogun shoqëror. ky është projekt që e promovon kulturën hungareze dhe autorët kryesor hungarez me qëllim të zhvillimit të një dialogu ndër shoqëror mes dy vendeve”, ka thënë Gashi për Radio KFOR-in.
Në kuadër të projektit “Javët e Kulturës Hungareze, më 14 nëntor (e enjte), do të shfaqet filmi “Brazils”, i regjisorëve Csaba M. Kiss dhe Gábor Rohonyi, më 19 nëntor shfaqet filmi tjetër hungarez “Ruben Brandt, Collector”, i regjisorit Milorad Krstic, dhe të martën (më 26 nëntor) do të shfaqet filmi “Aurora Borealis”, i regjisorit Márta Mészáros.
Në vazhden e aktiviteteve të Ambasadës Hungareze në Kosovë do të mbahet edhe një simpozium shkencor dhe një ekspozitë e fotografisë në Pejë.