Një laramani aktivitetesh e presin qytetin e Pejës. Është Kinemaja “Jusuf Gërvalla” që do i falë qytetit të Pejës dhe Kosovës në përgjithësi, një sërë aktivitetesh kulturore që ngërthejnë në vete shumë sfera.
Drejtori i Anibar, Vullnet Sanaja në një intervistë për Radio KFOR-in, ka shpalosur programin e kino “Jusuf Gërvalla”, që ka filluar qysh nga 17 tetori me korin ‘Siparantum’:
“Gjatë muajit në vazhdim do të kemi një sërë aktivitetesh në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ e njëra ndër ato janë edhe BarCampet. Ne do të organizojmë dy BarCampe, njëra do të jetë në kuadër të ‘Javës së Ndërmarrësisë’ dhe tjetra për temë do ta ketë ‘Feminizmin’. Gjatë muajit nëntor do të shfaqim edhe një numër të konsiderueshëm të filmave: filma dokumentarë, filma të animuar dhe filma të metrazhit të gjatë . Më 15 nëntor, në kuadër të ‘Javës Italiane të Filmit’, ku do ta shafqim një film i cili është kuruar nga Ambasada Italiane për t’u shfaqur. Gjithashtu në kuadër të ‘Festivalit Frankofon të Filmit’, më 7 nëntor do ta shfaqim edhe një film të animuar. Ky muaj do të jetë edhe i shfaqjes së filmave dokumetarë, ku do të shafqim filmin “Blue Hart” dhe do të kemi ‘Real Rock Tour’, një aktivitet ky që e kemi pasur edhe para disa viteve. Këta të dy dokumetarë kanë për temë mjedisin dhe trajtojnë bjeshkatarinë, alpinizmin si dhe mbrojtjen e ujëreave dhe të mjedidsit”.
Më 17 nëntor, në kino “Jusuf Gërvalla” do të mbahet edhe një koncert, programi i të cilit do të shpaloset në ditët në vijim.